Kush fiton Këpucën e Artë? Një “bebe” sfidon Levandovskin!

Nëse vitet e fundit, pretendentët kryesorë për trofeun individual kanë qenë me radhë Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo, këtë sezon duket se tendenca ka ndryshuar. Është Robert Levandovski njeriu i shkëputur në krye të renditjes virtuale për Këpucën e Artë në ligat europiane të futbollit, ndërsa sulmuesi i Bajernit ndiqet pas nga një “fëmijë” i vërtetë.

Polaku ka shënuar 15 herë në Bundesligë, e pas tij vjen sulmuesi i Çelsi, Tami Abraham me 9 rrjeta. Abraham është 22 vjeç dhe po shkëlqen për Blutë e Londrës, pasi iu dha besimi nga trajneri i tij, Frenk Lampard. Natyrisht, ka edhe pretendentë të tjerë, madje me shumë përvojë, siç është sulmuesi i Mançester Sitit, Sergio Aguero me 8 gola dhe, lojtari tjetër ofensiv i Sitit, Rahim Stërling po me 8. Premier Liga ka nxjerrë shumë pretendentë për Këpucën e Artë, siç është edhe Pjer-Emerik Obamejang i Arsenalit me 8 rrjeta, por kemi edhe Çiro Imobilen e Serisë A, me Lacion, që ka shënuar gjithashtu 8 herë.

Sfidanti.al