Klaus Gjasula, një “mohikan” shqiptar përballë “murit të verdhë” në “Signal Iduna Park”!

Një ndeshje që e meritoi epitetin “e çmendur”. Paderborni mund të jetë një debutues në Bundesligë, por skuadra e udhëhequr nga kapiteni Klaus Gjasula, mori një barazim të madh në fushën e Dortmundit. Përballë nënkampiones në fuqi të Gjermanisë, ekipi i kapitenit shqiptar, ishte madje pranë fitores, duke kryesuar 3-0 në fund të pjesës së parë.

Mungesa e përvojës, potenciali shumë më i madh i kundërshtarit, dhe 80 000 tifozë kundër në stadium, bënë që Borusia të barazonte në sekondat e fundit, 3-3. Gjasula luajti si përherë, ashtu siç bën edhe në kombëtaren e Shqipërisë. Mesfushori me tipare mbrojtëse luftoi fort në mesin e fushës, duke fituar dyluftime e duke thyer ofensivën vendase sa herë që pati mundësi.

Ai ishte aktiv në mbrojtje, sidomos, por hera-herës edhe në sulm. Barazimi 3-3 nuk e ndryshoi shumë fatin e Paderbonit. Skuadra e një klubi me buxhet modest ndodhet në vendin e fundt të renditjes së Bundesligës, me vetëm 5 pikë në 12 ndeshje, 4 pikë larg zonës së plej ofit, dhe 5 pikë larg mbijetesës. Gjithsesi, ky është një sezon i veçantë që Klaus Gjasula dhe shokët e tij duan ta shijojnë maksimalisht, cilido qoftë përfundimi.

Sfidanti.al