Jup Hajnkes krijon mjegull për Goreckën: Nuk ka vendosur ende!

Një “dhelpër” e vjetër si ai, e di sesi duhet të flasë për mediat. Jup Hajnkes e kishte përgjigjen gati kur iu drejtuan mikrofonët dhe kamerat e ndezura dhe erdhi pyetja për Leon Goreckën. “Është një djalë shumë i mirë, një lojtar shumë i mirë dhe unë e pëlqej, – tha ai, – ai ka bërë përparim të madh, por duhet të presim dhe të shohim se çdo të ndodhë. Nëse dëgjojmë menaxherin e tij, ai nuk ka vendosur ende”. Hajnkes nuk ngurroi të thoshte se “vetë Gorecka do të vendosë atë që është më e mira për të”.

Gjithsesi, mediat gjermane shkruajnë se trajneri i Shalkes, Kristian Hajdel, po kërkon një zëvendësues për 22-vjeçarin, gjë që do të thotë se transferimi për tek Bajerni është punë e kryer. Ndihmësi i Hajnkesit, Peter Herman, e njeh mirë Goreckën pasi kanë punuar të dy bashkë tek “Blutë Mbretërorë”, pra tek Shalke. Bajerni shkoi për minifazë përgatitore në Katar, ndërsa me Hajnkesin ka qenë në Gjirin Persik edhe në 2013 kur fitoi Championsin. Edhe në atë kohë ishin në Doha.

Sfidanti.al