Fluturimi drejt Gjermanisë ishte një lehtësim i madh. Hames Rodrigez, Këpuca e Artë e Botërorit të Brazilit, është një njeri i lumtur që u largua nga Reali, dhe u bashkua me Bajernin. Një talent i pastër dhe i madh i futbollit, Hames nuk dha dot në Madrid atë që tregoi për Kolumbinë në 2014, por ende i ri në moshë, besons e ndryshimi do t’i bëjë mirë.
Ai i buzëqeshi fotografëve dhe kameramanëve, ndërsa hyri në makinën e klubit të tij të ri dhe shkoi në selinë e klubit. Me të mbërritur aty, ai tha fjalët e para si bavarez. “Jam shumë i lumtur që vij në një klub kaq të madh sa Bajerni, – u shpreh ai, – Në të gjithë botën, gjithkush e di se kush është kjo skuadër. Unë do të jap maksimumin që të fitojmë trofe bashkë me shokët. Jam shumë i emocionuar, por edhe shumë i vendosur për sukses. E di se bëhet fjalë për një kulturë të re, për një klub të ri dhe për një jetë të re, por nuk kam asnjë dyshim se do të kem sukses këtu”.
Pasuan vizitat mjekësore, diçka e pashmangshme për çdo transferim, gjatë të cilave kolumbiani 26-vjeçar doli në gjende të përsosur për të luajtur futboll. Nuk mund të mungonte edhe firma në fanelën e re, e cila padyshim nuk bie më poshtë se ajo që kishte tek Reali.
Akti i fundit ishte konferenca për shtyp në krah të trajnerit Karlo Ançeloti, të cilin e pati edhe në “Bernabeu”, dhe me shefin ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige. Hames foli përsëri për lumturinë e tij që do të luajë me Bajernin, për ambiciet e tij të mëdha dhe për faktin se aventura në Mynih do të jetë e ndryshme nga ajo në Madrid.
Rumenige e quajti një goditje të madhe të klubit, faktin që afroi në huazim Këpucën e Artë të Botërorit të fundit, duke mos shpenzuar asgjë me përjashtim të rrogës. Për Ançelotin, ardhja e Rodrigezit e rrit cilësinë e skuadrës, nga e cila u largua Dagllas Kosta për tek Juventusi. Me yje të tillë si Nojer, Humels, Boateng, Kimih, Tiago Alkantara, Tomas Myler, Hames Rodrigez dhe Levandovski, trajneri italian ka besim se do të fitohet më në fund edhe Liga e Kampionëve.
Sfidanti.al