Dy futbollistët e njohur gjermanë, Mario Gëce dhe Andre Shyrle po përjetojnë momentin më të vështirë në karrierë. Nga dy lojtarë vendimtarë në triumfin e “pancerave” në Botërorin 2014, janë kthyer në thuajse anonime, kur shpesh në këtë sezon e kanë parë veten në pankinë. Gjatë verës së kaluar, Borusia Dortmund shpenzoi 52 milionë euro në total për t’i blerë, një shifër që nuk është justifikuar as nga minutazhi i lojtarëve dhe as nga golat e shënuar. Së bashku kanë realizuar vetëm dy gola në Bundesligën gjermane, dhe pesë rrjeta në total në të gjitha aktivitetet.
Mario Gëce u ble për 22 milionë euro, por numëron vetëm 16 prezenca në 34 ndeshje të këtij sezoni, ku në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka qëndruar 90 minuta në fushë. Rikthimi te Dortmundi pas dështimit te Bajerni nuk e ndihmoi të rilindte. Edhe Shyrle është në vështirësi. Dortmund shpenzoi 30 milionë euro për ta afruar në fillim të sezonit, një shifër record, pasi verdhezinjtë asnjëherë nuk kishin investuar kaq shumë për një lojtar.
sfidanti.al