Efenbergu bën “skanerin” e Bundesligës, kritikon Vernerin!

Me gjasë, ai nuk do ta kishte bërë po të kishte qenë në vend të tij. Jo më kot, Stefan Efenberg ka qenë një personalitet i futbollit, edhe ashtu gjaknxehtë e kokëfortë. Ish-ylli i Bajernit sulmoi sulmuesin Timo Verner që braktisi Lajpcigun dhe Championsin, për t’u paraqitur në 1 korrik tek Çelsi në Angli. “Ai i la në baltë shokët e tij të skuadrës, – deklaroi Efenbergu, – si mund të largohesh nga çerekfinalet e Championsit, ndërsa skuadra jote është ende në garë, dhe dëshiron të konkurrojë. Ai u bë i rëndësishëm bashkë me të tjerët, dhe tani i la vetëm”.

Efenbergu deklaroi edhe se Bajerni nuk do të ketë asnjëherë rivalitet në Bundesligë, përsa kohë që lojtarët më të mirë të rivalëve largohen prej ekipeve të tyre. “Për dy-tre vjet, Dortmundi, Lajpcigu, Shalke, Gladbahu, Leverkuseni humbasin yjet më të mirë, – u shpreh ai, – për të arritur diçka e madhe duhet të ruash skuadrën, por ata shkojnë ose tek Bajerni, ose jashtë vendit. Kështu do të bëjë Haverci, kështu bëri Verneri. Kur Levandovski do të largohet nga Bajerni, atje mund të shkojë Halandi, e kështu me radhë”.

Sfidanti.al