Ekipi mjekësor i Bajernit të Mynihut lejoi që të ndodhte një çudi e madhe gjatë ndeshjes së fundit të Bundesligës të këtij ekipi me Borusian e Mynshengladbahut që kjo e fitoi 2-1. Hames Rodrigezi luajti 10 minuta, duke pasur një tronditje të trurit. FIFA ka rregulla të forta, kur është fjala për dëmtime në kokë, por, sikurse duket, mjekët e klubit bavarez nuk e kanë parasysh këtë rregull. Hamesi, në min. e 33-të të ndeshjes, u përplas fort, në një duel ajror, me Toni Jançken, kështu që të dy ata përfunduan në barin e fushës, duke kapur kokën me duar. Futbollistin kolumbian e panë në anë të fushës mjekët që i dhanë “dritën e gjelbër” që ai të futej në lojë dhe ta luante deri në fund pjesën e parë të ndeshjes. Në pjesën e dytë, ai nuk doli më në fushë, ndërsa trajneri Jup Hainkes zbuloi arsyen:
“Hamesi nuk ishte në gjendje që të përgjigjej sesa ishte rezultati i pjesës së parë. Duket se bëhej fjalë për trurin, kështu që duhej që ta ndërronim atë. Sidoqoftë, diagnozën saktë do të duhet që ta përcaktojnë mjekët”, tha trajneri i Bajernit.
Sfidanti.al