Bajerni ka përgjigje “katërshe” për Lajpcigun, Tomas Myler si në kohët e vjetra!

Nuk ishte festa e një lojtari të vetëm, por e gjithë skuadrës. Kështu ndodh shpesh kur luan Bajerni, dhe bavarezët si të gjitha skuadrat me përvojë, e tregojnë veten në fazën e dytë. Suksesi në fushën e Hertës u vu në dyshim, pasi berlinezët e trajnerit Jurgen Klinsman u dukën të fortë dhe të besueshëm, por në të kundërt, nuk arritën t’i rezistonin kampionëve për asnjë moment. Përfundoi 4-0 në kryeqytet dhe golat për Bajernin e Hansi Flikut u shënuan nga Tomas Myler, Robert Levandovski, Tiago Alkantara dhe Ivan Perishiç.

Le të harrohen vështirësitë e fazës së parë, si edhe humbja 2-5 në ndeshjen përgatitore ndaj Nyrembergut. Skuadra e vërtetë bavareze është pikërisht kjo, që mbajti ritmin e Lajpcigut kryesues të Bundesligës. Me këtë fitore, Bajerni arriti në 36 pikë, katër më pak se vendi i parë, dhe me golaverazh thuajse identik. Në një sezon që pritet të ketë konkurrencë, sidoqoftë rekordmenët e titujve duhet të quhen si gjithnjë favoritë.

Sfidanti.al