Bajerni gjen armikun e radhës, Federatën Franceze për “rastin Hernandez”

Duket se ky klub nuk mund t’i jetojë i qetë ditët e veta, edhe pse në shumicën e rasteve ato janë ditë të lavdishme. Bajerni i Mynihut, pas përplasjes me trajnerin e kombëtares gjermane, Joakim Lëv, ka gjetur një tjetër kundërshtar, Federatën Franceze të Futbollit. Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige (këtë herë, jo presidenti Uli Hënes) sulmoi ashpër Parisin, për shkak të grumbullimit të mbrojtësit Lykas Hernandez. “Jam shumë i acaruar me Federatën Franceze të futbollit, – tha ai, cituar nga “Bildi”, – dua të theksoj se Lykas Hernandez nuk qe në gjendje të luante për Bajernin as në Champions ndaj Totenhemit, dhe as në Bundesligë të shtunën”.

Rumenige ishte zemëruar shumë sidomos me deklaratën e trajnerit të Francës, Didie Deshamp, i cili paska deklaruar se “Hernandez është gati të luajë edhe me një këmbë për ekipin kombëtar”. Është e qartë se nëse palët do të ndërronin vendet (Rumenige-Deshamp), atëherë ata do të ndërronin diametralisht edhe qendrimet. Edhe doktori i Bajernit, Myler-Volfart, mban anën e klubit të tij duke thënë se “Hernandez nuk mund të luajë në ndeshjet e Francës, ndaj një thirrje e tij për grumbullim nuk ka kuptim”.

Sfidanti.al