Juventusi po përpiqet të përballet me krizën e tij aktuale dhe të kërkojë zgjidhje që, të paktën për momentin, duket se po vijnë vetëm nga brenda klubit. Një ditë pas humbjes së rëndë ndaj Fiorentinës, e cila pasoi poshtërimin në shtëpi nga Atalanta, ka pasur një diskutim të gjatë mes Thiago Mottës dhe drejtuesve të bardhezinjve, konkretisht Cristiano Giuntoli dhe CEO-së Maurizio Scanavino. Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, trajnerit i është konfirmuar ajo që u tha dje para kamerave, besimi tek ai dhe te projekti teknik, mbetet e pandryshuar, por në të njëjtën kohë është kërkuar një kthesë e menjëhershme. Me vetëm 9 javë të mbetura nga fundi i sezonit, ekziston rreziku që Juventusi të humbasë vendin e katërt, jetik si për prestigjin e ekipit, ashtu edhe për financat e klubit.
Tema kryesore e diskutimit ka qenë humbja e papritur dhe e pashpjegueshme e ekuilibrit mbrojtës. Pavarësisht dëmtimeve serioze të Bremer dhe Cabal, mbrojtja e Juves kishte mbetur për një kohë të gjatë më e mira e kampionatit, por më pas ekipi ka pësuar 7 gola në vetëm dy ndeshje – një statistikë e papranueshme, që i atribuohet më shumë një qëndrimi të gabuar të skuadrës sesa gabimeve individuale të mbrojtjes. Në këtë fazë, problemet duken të përgjithshme: e gjithë skuadra duket e demotivuar dhe pa shpirt gare, e paaftë të reagojë ndaj vështirësive dhe të gjejë zgjidhje kur plani fillestar i lojës nuk funksionon. Kjo është para së gjithash një çështje mendore, për të cilën përgjegjësi kryesor nuk mund të jetë askush tjetër veç trajnerit. Pikërisht për këtë arsye, Giuntoli dhe Scanavino i kanë kërkuar Mottës të punojë edhe në aspektin e frymës së grupit, e cila ka munguar tërësisht në ndeshjet e fundit. Megjithatë, trajneri duket i vendosur të bëjë edhe ndryshime të rëndësishme taktike pas pushimit të kombëtareve. Ka ende dy javë kohë, kështu që është herët për të folur për skemat dhe formacionin, por është e mundur që kundër Genoas të rikthehen titullarë Yildiz dhe Conceição, që ishin vendimtarë në pjesën e parë të sezonit.
Ndoshta në vend të Nico Gonzalez dhe Koopmeiners, të cilët nuk po bindin. Në mbrojtje pritet të rikthehet dyshja titullare Gatti-Kalulu, ndërsa një tjetër opsion është kthimi i Dusan Vlahovic-it në formacionin bazë. Kjo edhe sepse Kolo Muani, në paraqitjet e fundit, ka qenë larg versionit të tij më të mirë nga fillimi i sezonit. Për më tepër, edhe pse e ardhmja e Vlahovic-it duket larg Juventusit, ai ende mund të ketë një rol të rëndësishëm në pjesën e mbetur të sezonit – ndoshta me synimin për të bindur ndonjë klub të interesuar me një fund sezoni në nivelin e potencialit të tij.
sfidanti.al