Edhe pse Alphonso Davies ishte mes titullarëve në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, në të cilën Bayern Munich barazoi 2-2 jashtë shtëpisë, polemikat në shtëpinë bavareze nuk shuhen. Sipas “Bild”, forma e dobët e kanadezit ngre pyetje serioze, veçanërisht në dritën e thashethemeve të shumta të transferimeve që lidhen me të ardhmen e tij të afërt. Të gjithë te Bayerni janë habitur nga niveli i treguar prej mbrojtësit në fjalë, i cili duket gjithnjë e më pak i përfshirë. Krejt apatik në fushë, Davies, me kontratë deri në qershor 2025, duket shumë i mërzitur nga thashethemet e shumta për të ardhmen e tij. Nën presionin e drejtuesve për një zgjatje të mundshme të kontratës, lojtari nuk duket aspak i prirur të qëndrojë në Bavari. Ai është më tepër në favor të kalimit te Real Madridi këtë verë. Shumëkush do ta kujtojë shpërthimin e lojtarit kanadez disa muaj më parë, i cili u ankua për vështirësi përshtatjeje në Bavari:
“Pas stërvitjes nuk kam çfarë të bëj dhe jam gjithmonë vetëm. Familja ime është në Kanada, e dashura ime nuk jeton në Mynih. Kam rreth pesë miq këtu, por kur mbaroj stërvitjen ata janë ende duke punuar. Ndihem si një humbës i suksesshëm”.
sfidanti.al