Barça, e shqetësuar që pushimit të Mesit me kombëtare i erdhi fundi

Lionel Mesi duket i lumtur  me një buzëqeshje, ndërsa stërvitet me uniformën e kombëtares së Argjentinës. Në prag të moshës 32-vjeçare, ai ende ka shpresë që të realizojë gjëra të mëdha, ato që nuk ka mundur deri tani, veçse në Barcelonë disa njerëz janë të shqetësuar.

Këta janë trajneri Ernesto Valverde dhe presidenti Bartomeu, për të cilët Mesi është “margaritari” më i çmuar në “kurorën” e skuadrës katalanase. Ata presin me ankth që Leo të kalojë pa dëmtime dy ndeshjet me Argjentinën, madje që të lodhet sa më pak. Barcelona po hyn në fazën vendimtare të sezonit, kur vendosen fituesit e trofeve, dhe Valverde e Bartomeu do të kishin dashur që pushimi i Mesit në kombëtare të vazhdonte pa ndërprerje.

Për fat, të paktën numri 10 nuk do të ketë nevojë të udhëtojë shumë, pasi nesër ndaj Venezuelës luajnë në Madrid, ndërsa të martën tjetër, ndeshet me Marokun në Tanzhier. Ylli argjentinas është në formë të shkëlqyer, siç e tregoi me 3 golat ndaj Betisit, por çdo lodhje apo dëmtim, do t’i prishte punë Barcelonës.

Sfidanti.al