Carlo Ancelotti rikujton me emocion Paolo Maldinin, legjendë e Milanit, si një lider i jashtëzakonshëm që dhuroi shpirtin e tij në çdo fitore dhe stërvitje. Trajneri italian përshkruan madhështinë e karakterit të Maldinit dhe ndikimin e tij te skuadra dhe kundërshtarët.
“Sa herë fitonim, përqafonim njëri-tjetrin. Ndonjëherë shkoja unë tek ai, ndonjëherë ai vinte tek unë. Një gjë e veçantë te Paolo ishte se gjithmonë thoshte faleminderit. Pas çdo suksesi, si lider i vërtetë, ai kishte dy rituale: hiqte shiritin e kapitenit dhe e vendoste mbi dollapin e tij dhe i falënderonte të gjithë duke iu shtrënguar dorën. Nuk kam parë askënd me kaq karizëm”, rrëfen Ancelotti.
Ancelotti thekson disiplinën e Maldinit: “Nëse dikush vonohej në stërvitje, para meje duhej të takonte Paolo-n. Ai stërvitej më shumë se të gjithë, edhe në moshën 39-vjeçare. Një ditë e pyeta: ‘Paolo, si e bën?’ Ai më tha: ‘E bëj për t’iu treguar të rinjve se nuk duhet ta ulin vigjilencën, edhe 40 vjeç. Unë gjithmonë udhëheq sepse jam kapiten dhe duhet të jem shembulli i parë’”.
Suksesi i Milanit nuk vinte vetëm nga lojtarët e mëdhenj, por nga shpirti i skuadrës, dhe ky shpirt quhej Paolo Maldini.

