Mund të kesh kurorën e trefishtë, siç e quajnë në Gjermani, por sërish të kesh një alarm të brendshëm për atë që pritet të vijë. Hansi Flik i siguroi të gjitha lavdet si trajner i Bajernit, si dhe që të gjithë trofetë (Champions, Bundesligë, Kupë të Gjermanisë), veçse ai thotë se gjendja nuk është aspak e thjeshtë.
“Kemi nevojë për përforcime, – shprehet Fliku, – festa mbaroi, ne ishim të sukseshëm, por e ardhmja nuk është aspak e thjeshtë”. Problemi kryesor i trajnerit është se skuadra është “holluar”. Ivan Perishiç me shumë gjasa kthehet tek Interi, Filip Kutinjo tek Barça, Odriozola largohet, Tiago Alkantara po ashtu pritet të shkojë tek Liverpuli, ndërsa Alaba ende nuk ka dhënë fjalën për kontratën e re. “Kam folur me Salihamixhiçin dhe ne duhet të përmirësohemi, – thotë Fliku, – na duhet edhe sasi, por sidomos cilësi. Bajerni do të luajë dy ndeshje në javë deri në Krishtlindje, nuk është aspak gjë e thjeshtë”.
Sfidanti.al