President, kam gjyshen 100- vjeçare,  a meriton një ..trofe?

E dinim të gjithë, i madh e i vogël se.. Tirana do të fitonte kampionatin ngaqë  kishte zënë radhën e para  për të festuar 100 – vjetorin e krijimit të klubit! Gati me sy mbyllur e dinim se  edhe Teuta, e dyta në radhën e “qumështit” … do ta fitonte Kupën e Shqipërisë, ngaqë,  as më pak e as më shumë, mbushi edhe ajo një shekull, pra 100 vite, qysh nga “qarja”  e parë në  fushën e lojës.  Thonë, ishalla është zë që vjen nga brënda sistemit , se edhe Dinamo e kallur poshtë  deri në këto momente, do të ngjallet kur të ketë jubileun e saj…

Po vitin që vjen , cili është ekipi më sebepçi për të merituar kamionatin? Orakulli i Superligës, ai që na tregon qysh në fillim fundin e filmit,  thotë se kampion do të shpallet Kukësi.  Edhe pse ekipi mund të jetë më i dobët se këtë sezon,  kjo është një arsye e vogël në krahasim me festimin  e madh që do të ketë ky klub! Mos vallë ka ditlindjen jubilare edhe Kukësi, si Tirana dhe Teuta? Qënka zënë radha edhe për vitin tjetër..  Nuk është ditlindje, por është “dasmë” e futbollit, sa herë flitet për një stadium të ri. Dhe jo stadiuam si bota, ku klubet shpenzojnë vetë paratë, por stadiume alla shqiptare, ku në mes të lojës me “beton”.. futet edhe FSHF-ja.

Qoftë i bekuar ky sezon ( pa maskë), për të cilin mund të ngazëllehesh me shprehjen misionare: Bacë u kry! Tirana fitoi kampionatin, Teuta mori Kupën, Kukësi paska zënë radhën për vitin tjetër.  Futbolli qokave jubilare ka provokuar edhe batutën e një tifozi që i lutet “babushit të futbollit”: “ President,  kam një gjyshe 100- vjeçare,  po ajo a meriton një trofe?”

Sfidanti.al