Kur ekipet po hynin në fushë, trajneri i Mançester Sitit donte vetëm një gjë, që ekipi i tij të jepte maksimumin dhe të kujtonte se duhej të provonte veten ndaj një rivali që e kishte turpëruar vitet e fundit. Liverpuli e kishte eleminuar Sitin nga Championsi, duke u shpallur kampion i Europës, e kishte mundur sezonet e kaluara, ndërsa ia kishte marrë titullin duke e lënë në bisht, a thua se “qytetarët” tani ishin një grup pleqsh që luanin domino në klubin e pensionistëve.
Papritur këta “pensionistë” u kthyen në luanë, dhe ndërsa Bajerni prezantonte Leroi Sanenë, ylli i kombëtares gjermane kuptoi më mirë se çfarë skuadre kishte braktisur. Pep Guardiola mund të thotë se është në drejtim të një skuadre burrash, pasi vetëm të tillë mund të fitojnë 4-0 me Liverpulin, kampionin rekordmen të titullit në Angli. De Brujn me penallti, Stërling, Foden dhe një autogol i Okslejd Çembërlenit ishin “notat kulmore” të simfonisë së Sitit, që i kujtoi të gjithëve se ishte kampion i dy sezoneve të fundit në Angli, se vjet fitoi 4 trofe, dhe se sivjet sërish mund të fitojë 3. Aspak gjë e vogël.
Për më tepër, këta burra (edhe pse pa mustaqe) mund të eleminojnë Realin dhe të fitojnë Championsin e parë në historinë e klubit. Nëse kjo ndaj Liverpulit ishte thjesht një ndeshje, dhe aq, vazhdimësia ka më shumë rëndësi. Tifozët e dinë se Siti është shumë më i vogël sesa klubi i “Anfildit”, pasi ka vetëm 25 trofe vendase (6 tituj) ndaj 50 të Liverpulit (19 tituj), dhe vetëm 1 titull ndërkombëtar (Kupën e Kupave në 1970) ndaj 14 të të kuqve (me 6 Champions).
Sfidanti.al