Ruaju nga zemërimi i kampionëve të lënduar, ose siç thuhet shpesh “ruaju nga luani i plagosur”. Mançester Siti është një “përzierje eksplozive” këto ditë, sa më shumë që kalojnë ditët dhe afrohet fundi i sezonit. Titullmbajtësit e Premier Ligës janë cënuar rëndë në nderin e tyre nga shkëputja fluturuese e Liverpulit, dhe zemërimin e pakufi do t’ia nxjerrin kujtdo që do t’i dalë përpara. E provoi Arsenali me tri shuplaka në humbjen 0-3, e provoi edhe Bërnli që u mund 0-5 në “Etihad”.
Siti nuk dëshiron që Liverpuli të dalë shpejt kampion, ndonëse e di se nuk mund ta ndalë. Skuadra e Guardiolës dëshiron t’ua kujtojë të gjithëve se mbetet ajo e përhershmja, më e fuqishmja në Angli, ndonëse sezoni i rrëshqiti nga duart. Jo më kot ka shënuar 76 gola në 30 ndeshje, ndaj 66 të të kuqve të Klopit. Marshimi i tanishëm është një investim për sezonin që vjen, por edhe për Championsin ku “qytetarët” kanë ende një llogari të hapur e të rrezikshme me Realin e Madridit, pavarësisht fitores 2-1 në “Bernabeu”. Ndaj Bërnlit, më të mirët ishin ata që duan të provojnë veten si Foden, Rodri, Mahrez, por edhe mjeshtri i vjetër, David Silva.
Golat u shënuan 2 herë nga Foden, dy herë nga Mahrez dhe një herë nga Silva, ndërsa në formacion ishin edhe Aguero apo Fernandinjo. De Brujn, Zhezus, Laporte e Sane hynë pas pushimit, ndërsa Stërling apo Gyndogan e ndoqën ndeshjen nga stoli. E qartë që Guardiola ka një skuadër me shumë potencial në dispozicion.
Sfidanti.al