Duke e ditur se mund të cilësohej i tillë, ai deshi t’i dilte përpara “të keqes”. Rudi Fëler, kampion i botës me Gjermaninë në 1990, mori “kamzhikun” dhe nisi të kritikonte “të rinjtë e sotëm” (kuptohet, të futbollit), që sipas tij nuk po tregoheshin aspak të zgjuar. Ish-ylli i sulmit nuk është se u mor me koronavirusin dhe gabimet që mund të bëjnë lojtarët lidhur me të, por me sjelljen e tyre në përgjithësi.
“Futbollistët sot më duket se nuk janë të zgjuar, – deklaroi drejtuesi i Leverkusenit, – dikush bën publik një biftek të artë, dikush tjetër tregon sesi berberi ia bëri modelin e flokëve një ditë para ndeshjes. Unë nuk jam apostull moral, por futbollistët janë edhe shembuj për të tjerët”. Fëleri duket se shigjetoi ish-yllin e Bajernit, Riberi, që postoi foton me biftekun e artë ndërsa ishte me pushime në Dubai disa vjet më parë, si dhe disa lojtarë të Dortmundit që kishin ftuar berberin në hotelin e tyre një ditë përpara sesa Totenhemi t’i mundte 3-0 në Champions. Gjithsesi, duke e ditur se mund ta kishte tepruar, Fëleri shtoi se “edhe në kohën time bëheshin gabime, por ato nuk merreshin vesh”. Sot, “karremi” janë rrjetet sociale që të nxjerrin bojën.
Sfidanti.al