Formula 1, Massa: Situata e Schumit nuk është e lehtë, lutem që të përmirësohet

‘E di si është Michael, kam informacione direkte për gjendjen e tij. Kam pasur gjithnjë raport të ngushtë me të, me bashkëshorten e tij Corinna më pak duke qenë se ajo vinte rrallë në gara. E dimë që situata nuk është e lehtë. Ëndërroj dhe lutem cdo ditë që të përmirësohet’. Kjo është ajo që ka deklaruar Felipe Massa në një intervistë për Fox Sports në lidhje me gjendjen e Michael Schumacher pas aksidentit të tmerrshëm që ai pësoi në Meribel në 29 dhjetor të 2013

Që nga ajo ditë e mallkuar, familja e ish pilotit gjerman ka ngritur një mur për të mbrojtur privatësinë e 7 herë kampionit të botës në Formula 1 për të cilin cdo lajm për gjendjen e tij ka një lloj efekti, sidomos nëse ato dalin nga persona që kanë lidhje të fortë me të. Është ky rasti i Felipe Massës që ka qenë shok skuadre te Ferrari me Schumacher  në 2006, viti i fundit i gjermanit me Kokëkuqen italiane.

‘Po kalon një fazë të komplikuar, por duhet ta respektojmë, sic bëra unë me familjen e tij-vijoi Massa-atyre nuk u pëlqen që të përhapin informacione, përse duhet ta bëj unë?’.

Felipe Massa, që aktualisht garon në Botërorin e Formula E kthen mendimin e tij te Mick Schumacher, djali që ka ndjekur gjurmët e të atit dhe po kërkon të hyjë në botën e garave automobilistike.

‘Edhe unë jam baba dhe e di shumë mirë se cfarë do të thotë një lidhje e tillë-tha Massa-ëndërroj dhe lutem cdo ditë që Michael të përmirësohet dhe të kthehet më në fund në pista sidomos tani që edhe djali i tij garon, për ta inkurajuar, ndjekur, duartrokitur. Do të ishte dicka e mrekullueshme. Lutjet e mia shkojnë në këtë drejtim’.

Sfidanti.al