Është lojtar i ekipit kampion dhe nga më të paguarit, por ndodhet në telashe. Aristoteles Romero, mesfushor i Partizanit, mësohet se ndodhet i ndaluar në ambientet e një komisariati të policisë në kryeqytet. Burime nga Partizani bëjnë me dijë se futbollisti nga Venezuela dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj të dashurës së tij, diçka që është ende e pavërtetuar, ndërsa mësohet se ajo nuk ka bërë kallëzim. Romero, 24-vjeçar, mund të jetë në probleme të mëdha nëse kjo gjë ka ndodhur me të vërtetë, pasi ai mund të dënohet në bazë të ligjeve në fuqi.
Ai u bashkua me Partizanin në korrik të vitit të kaluar, kur trajner ishte Franko Lerda, dhe mësohet se është një nga lojtarët më të paguar të të kuqve, me rreth 12 000 euro rrogë në muaj. Gjithsesi, kontributi i tij nuk ka qenë aq i madh, ndërsa disa herë është kritikuar për gabimet, siç ndodhi në derbin e humbur 1-2 ndaj Tiranës në “Arenën Air Albania”, në dhjetor të vitit të kaluar. Për shumë ndeshje, ai nnuk ka qenë titullar, dhe ka luajtur më së shumti kur ka munguar ndonjë lojtar tjetër, siç ndodhi kur nuk ishte në dispozicion mesfushori vlonjat, Telushi.
Sfidanti.al