Planet janë bërë që ekipet të kthehen në fushë në 9 maj. Gjithsesi, rritja e rasteve të koronavirusit në Gjermanika rikthyer rrezikun se gjithçka mund të frenohet. Mediat gjermane dhe ato europiane njoftojnë se po qarkullon ideja për një shtyrje të paktën me një javë, pra që Bundesliga të nisë ndeshjet në 16 maj.
Gjithsesi, lajmet e mira janë që Ministria Federale e Punës i ka dhënë dritën jeshile rifillimit të kampionatit, sipas planit të përcaktuar nga Federata, siç njofton “Rajnishe Post”, së cilës i bëjnë jehonë “Bildi” në Gjermani apo “Deili Meili” në Angli.
Kjo, pasi projekti parashikon masa të forta sigurie në stërvitje, por edhe në vendosjen nëpër hotele, si dhe gjatë ndeshjeve. Bundesliga ka gati dy muaj që është ndalur, me ndeshjen e fundit mes Gladbahut e Këlnit të luajtur me dyer të mbyllura, por skuadrat gjermane janë më të përgatitura se të tjerat në Europë. Kjo, sepse ato janë kthyer në stërvitje prej shumë ditësh, duke testuar pikërisht masat e sigurisë, që deri tani e kanë përballuar provën.
Gjithsesi, vendimi përfundimtar për rifillimin ose jo të futbollit do të merret nga qeveria gjermane, e do të lajmërohet këtë të enjte nga Kancelarja Angela Merkel. Gjermania ka mbi 160 000 raste koronavirusi, por vetëm rreth 6 000 vdekje, shumë më pak se Spanja, Italia, Anglia apo Franca.
Sfidanti.al