Një bashkëbisedim normal në izolim preku edhe një temë pak të “sikletshme”. Stan Vavrinka ishte në “çat” me Novak Gjokoviçin dhe, mes të tjerave, e pyeti se përse tifozët duan më shumë Federerin e Nadalin, dhe jo aq shumë Gjokoviçin. “Nuk di të them, dhe nuk mendoj se tifozët po bëjnë ndonjë gjë të keqe, – ishte përgjigja e serbit, – ndoshta, vjen nga madhështia e të dyve, dhe e kam fjalën edhe si njerëz, jo vetëm si tenistë, për karizmën që kanë, për biznesin që krijojnë. Mund të them se jam me fat që kam luajtur në kohën e tyre”.
Gjithsesi, Vavrinka pati një vërjetje. “Unë mendoj se kjo vjen ngaqë ata u bënë të mëdhenj përpara teje, – u shpreh zvicerani me origjinë polake, – ata hynë më shpejt në zemrën e njerëzve. Në një film nuk mund të ketë tre heronj të mirë, por dy të mirë dhe duhet të ketë një të keq, kështu që të kanë zgjedhur ty si personazhin e keq, për të realizuar filmin”.
Sfidanti.al