Lamtumirë “Radi” Antiç, i vetmi trajner i tre gjigandëve të Spanjës!

Nuk ishte aspak i madh, por, për fat të keq, ishte i sëmurë. Në moshën 71-vjeçare u largua nga kjo botë një nga njerëzit e futbollit që ia vlen të kujtohen e të mos harrohen. Radomir Antiç, shkurt “Radi”, ish-lojtari dhe ish-trajneri i lindur në ish-Jugosllavi në një familje serbe, dhe që shkëlqeu si trajner në Spanjë. “Radi” Antiç mbetet i vetmi teknik që është ulur në stolin e të tre klubeve kryesorë spanjollë, Realit të Madridit, Barcelonës dhe Atletikos së Madridit.

Ai lindi në qytetin e Zhitishtes në Vojvodinë, luajti si mbrojtës për Sllobodën e Uzhices, Partizanin e Beogradit, Fenerbahçen e Stambollit, Saragozën dhe Luton Taunin, duke pasur gati 400 ndeshje në kampionat. Si trajner u bë më i njohur duke e nisur me Saragozën, e duke u zgjedhur nga Reali në mars 1991 në vend të legjendës Alfredo Di Stefano. Antiçi e ngjiti Realin nga vendi i 7-të në të tretin, ndërsa sezonin pasardhës u shkëput 7 pikë nga Barcelona e Krujfit deri në fund të janarit 1992. Papritur presidenti Mendoza e shkarkoi dhe emëroi Leo Benhakerin në stol, ndërsa madrilenët e humbën titullin në favor të Barçës, si dhe u eleminuan në gjysmëfinale të Kupës UEFA nga Torino.

Suksesin më të madh, ai e pati tek Atletiko ku arriti fitore të dyfishtë, kampion+kupë në 1995-1996, duke u shpallur trajneri më i mirë i Spanjës. Atletikon e drejtoi tri herë, si dhe Barcelonën për disa muaj, përveçse kombëtaren e Serbisë në Botërorin 2010, ku arriti fitoren e famshme 1-0 ndaj Gjermanisë, por ku u eleminua në grup. Aventurat e fundit i pati në Kinë me Shandongun dhe Hebein.

Sfidanti.al