Bajerni kthen yjet në stërvitje, betohet se do respektojë rregullat për virusin!

Nuk ishin të parët që e bënë, por e morën guximin edhe ata. Futbollistët e Bajernit të Mynihut iu kthyen fushës së stërvitjes këtë fillimjave, pavarësisht rrezikut nga koronavirusi. Drejtuesit bavarezë vendosën ta hidhnin këtë hap, duke e grumbulluar skuadrën në kompleksin stërvitor në Rrugën Zebener të Mynihut, veçse duke u kujdesur që përgatitjet të bëhen ne grupe të vegjël. Përpara kampionëve, përgatitjet i kishin nisur edhe skuadra të tjera si Nyrembergu, Grojter Fyrti, Augsburgu apo Dortmundi.

Shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige, por edhe zyrtarët e tjerë të lartë kanë theksuar se klubi do të respektojë maksimalisht rregullat e vendosura nga qeveria gjermane për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Deri tani nuk ka asnjë të prekur në Gjermani nga epidemia që ka pushtuar gjithë botën, ndërsa kontrollet vazhdojnë të jenë të rrepta.

Për momentin, është e pamundur të parashikohet se kur do të rifillojë Bundesliga, apo futbolli gjerman në përgjithësi, por për momentin ndalimi është deri në 30 prill. Pas përhapjes së koronavirusit, në vendin e madh europian u luajt vetëm një ndeshje pa spektatorë, ajo mes Mynshengladbahut e Këlnit, dhe më pas gjithçka u ndërpre. Bajerni kryeson kampionatin, por në konkurrencë të fortë me Lajpcigun, Dortmundin dhe vetë Mynshengladbahun.

Sfidanti.al