Mjeshtri nuk mund të gabonte, historia e Fergusonit dhe Ronaldos në 2003!

Interes për të nuk pati vetëm Mançester Junajtidi, por edhe Arsenali, madje edhe të tjerë. Ishte viti 2003, dhe djaloshi 18-vjeçar Kristiano Ronaldo nuk ishte ky që njohim sot, aspak i famshëm, apo i pasur, ende jo një kampion për të cilin të binin të vdekur të gjithë. Në 2003, madje, problemi më i madh i portugezit adoleshent ishte se çdo klub që pëlqente ta merrte, kishte në plan ta kthente si huazim sërish tek Sportingu i Lisbonës, ndërsa ai dëshironte të kalonte menjëherë në një ligë të madhe.

“Gjithnjë kam thënë se në çdo transferim, rëndësinë kryesore e ka trajneri, – thekson agjenti i Ronaldos, Zhorge Mendes, – kështu ndodhi edhe atëherë. Fergusoni pati ndikimin vendimtar për Ronaldon, pasi ai e deshi menjëherë në ekip, dhe donte që ta aktivizonte që në fillim. E donin edhe shumë klube të tjerë, por fillimisht donin ta kthenin tek Sportingu”. Vetë Fergusoni pati fatin sepse, Ronaldo u vendos përballë Junajtidit në një miqësore të verës, dhe futbollistët e “djajve të kuq” i kërkuan me ngulm trajnerit që ta merrte portugezin.

Sfidanti.al