Koronavirusi, familja dhe planet me Dinamon, flet presidenti Pontreli!

Tashmë është në zotërim të klubit që deshi, por kohët janë të vështira. Marko Pontreli, sipërmarrësi italian i ka aksionet e Dinamos, veçse rreziku është i madh për rënien nga kategoria, pas humbjes më të fundit në kampionat. Ai e pa të udhës të takonte skuadrën në stërvitje për t’i thënë disa fjalë, ndërsa u shpreh me optimizëm.

“Le të themi se juridikisht, Dinamo tani është në rregull, – theksoi Pontreli, – Për fat të keq, është më pak në rregull në fushë, por tani do të organizohemi edhe në fushë për fundin e sezonit, të mbijetojmë në kategori për të zbatuar më pas projektin tonë. Falenderoj të gjithë ata që më ndihmuan për të marrë këtë emër të madh të futbollit shqiptar, por projekti do të jetë afatgjatë, do të duhet kohë. Duhet rindërtuar gjithë sektori i të rinjve. Do të jetë 3 deri në 5 vjet koha për të rindërtuar Dinamon”.

Gjithsesi, ekziston rreziku që futbolli të ndalet për shkak të koronavirusit, siç ndodhi në Itali. “Unë jam dakord me masat e marra në Itali dhe Shqipëri sepse futbolli është aktivitet masiv, – pohon ai, – Stadiume në Itali mbledhin deri 50 000 spektatorë, pra është e qartë se mund të transmetohet virusi, por në Shqipëri nuk mendoj se kemi arritur në gjendjen e Italisë, ndaj shpresoj që kampionati të luhet, sepse do të ishte një mëkat”.

Pontreli është italian dhe ndihet i shqetësuar për vendin e tij, por sidomos për familjen që e ka në Itali. “Ky është një moment shumë i veçantë, unë kam një muaj që ndodhem në Shqipëri dhe nuk jam kthyer në Itali, – tregon italiani, – Po merrem me Dinamon, po ndjek edhe projektet e mia të biznesit. Kjo që po ndodh me koronavirusin është tepër e rëndë për njerëzit. Shpresojmë të kalojë sa më shpejt pasi Italia nuk ka një moment aspak të mirë. Unë i kam fëmijët në Itali, me të drejtë jam i shqetësuar. Fëmijët janë në Romë, unë jetoj në Romë, një qytet që nuk është si Veriu”.

Duke u kthyer tek Dinamo, Pontreli ka plane ambicioze për bashkëpunim me klube italiane dhe ndërtim të kompleksit sportiv. “Po, ne kemi që tani disa klube profesioniste italiane që kanë nisur një dialog për të qenë partnerë me ne, – tregoi Pontreli, – Nuk është e vështirë që ta bësh këtë, sidomos tani që Italia ndodhet në një moment të veçantë. Është më e lehtë të bashkëpunosh në Shqiperi, më e thjeshtë. Prej më shumë se një muaji po zhvillojmë bisedime për të blerë një qendër sportive, po shikojmë gjithashtu edhe alternativa të tjera, sepse sipas mendimit tim, një klub futbolli pa qendër sportive nuk mund të konsiderohet normal”.

Sfidanti.al