Liverpuli thyen rekordet, gati të kalojë buxhetin e Mançester Junajtidit!

Suksesi në fushë nuk mund të mos ndihet edhe në financa. Liverpuli i Jurgen Klopit duket se po hedh bazat për një të ardhme të madhe edhe jashtë fushe, ndërsa përgatitet të fitojë titullin e parë kampion pas 30 vjetësh. Klubi anglez njoftoi se pati një fitim prej gati 50 milionë eurosh, apo 42 milionë paundësh stërlina, dhe një rritje të të ardhurave vjetore në 533 milionë paundë stërlina, që do të thotë 625 milionë euro.

Me këtë shifër, Liverpuli me shumë gjasë do të kalojë Mançester Junajtidin, si klubi me buxhetin më të madh në Angli, e kjo do të jetë për herë të parë në më shumë se tri dekada. Rritja e të ardhurave ishte e madhe, me mbi 90 milionë euro vetëm vitin e kaluar. Gjithçka ka ardhur pas triumfeve të mëdha në Europë, që kulmuan me fitoren e Championsit sezonin e kaluar, në finalen e Madridit ndaj Totenhemit. Të kuqtë, po ashtu, kishin dalë në finale në 2018, si dhe në finalen e Ligës së Europës në 2016, po nën drejtimin e Klopit.

Këtë edicion do të përfundojë pritja 30-vjeçare për titullin kampion, pasi Liverpuli është i shkëputur 22 pikë nga Mançester Siti i vendit të dytë. Natyrisht, suksesi ka ardhur me një kosto, pasi Klopi shpenzoi 223 milionë paundë stërlina për të marrë yje të rinj, si Alison apo Nabi Keita, si dhe për të rinovuar kontratat me 11 futbollistë kryesorë, mes të cilëve edhe me Mohamed Salahun dhe Sadio Manenë.

Sfidanti.al