Florian Kamberi në 16 më të mirët e Ligës së Europës me Rejnxhërsin!

Kombëtarja shqiptare do ta ketë një përfaqësues të rëndësishëm në kupat kontinentale, pas ndeshjes që Gllazgou Rejnxhërsi zhvilloi në Portugali. Florian Kamberi ishte në formacion për skuadrën e trajnerit Stiven Xherrard që triumfoi për herë të dytë ndaj Sportingut të Bragës, këtë herë me shifrat 1-0. Rajan Kent (në foto bashkë me Kamberin) ishte autori i golit të vetëm të ndeshjes së turit të dytë të Ligës së Europës, shënuar në minutën e 61-të. Kjo ishte ndeshja e vetme e Ligës së Europës për të mërkurën, ndërsa të tjerat do të luhen nesër.

Rejnxhërsi kishte fituar 3-2 në Skoci javën që kaloi, duke realizuar një përmbysje të madhe falë dy golave të rumunit Ian Haxhi, djalit të legjendës së futbollit rumun dhe atij botëror, George Haxhi. Këtë herë, gjithsesi, Haxhi i ri nuk pati fat pasi humbi 11-metërshin që pati në dispozicion në fund të pjesës së parë. Arritja e Rejnxhërsit, ekipit të Kamberit, ishte e madhe pasi asnjë skuadër në 11 ndeshje të kaluara nuk ia kishte dalë që të mos e lejonte Bragën që të shënonte gol. Ekipi skocez është tani mes 16 më të mirëve të Ligës së Europës, dhe Xherrardi ka ambicie për të fituar trofeun, ndërsa nuk ka shumë shpresë në kampionat, ku Sëlltiku ka nisur të shkëputet.

Sfidanti.al