Dhuna sfidon sërish ligjin në Kategorinë e Parë, këtë herë kacafytjen e bënë drejtuesit!

Nuk dihet se kujt i hyn në punë ky futboll. Në të vërtetë, nuk ishte aspak futboll ai që u luajt në stadiumin e Devollit, mes skuadrës vendase dhe Turbinës së Cërrikut, ku triumfoi tensioni dhe dhuna. Gjyqtari u detyrua të jepte që në fillim karton të kuq për një lojtar të miqve, Peqinit, pas një ndërhyrjeje thuajse kriminale ndaj kundërshtarit.

Kulmi u arrit me acarimin mes drejtuesve të dy klubeve, në tribunën kryesore të impiantit, dhe nervat kaluan nga përplasjet me fjalë, në konflikt fizik. Kjo vazhdoi për disa minuta, dhe u desh ndërhyrja e palëve të treta që të shmanget më e keqja. Gjithashtu, në fushën e lojës, futbollistët miq u përpoqën të nxirrnin me dhunë nga terreni një lojtar vendas, që ishte i shtrirë në tokë e thoshte se ishte i dëmtuar. Pak sekonda pas veprimit të turpshëm, lojtari u ngrit dhe u largua pa treguar asnjë dëmtim.

Ndeshja u fitua 2-1 nga Devolli, që luajti gjatë gjithë kohës në epërsi numerike, veçse lojë efektive siç shihet nga këto pamje pati fare pak. Pritet të shihet nëse do të veprojë ligji kundër dhunës në stadiume.

Sfidanti.al