Inter nuk di të fitojë, barazimi i tretë radhazi i “fal” titullin Juves!

Përfundimi ishte me nerva dhe zhgënjim. Futbollistët sikur nuk janë më ata të mëparshmit, dhe tifozët nuk shohin më Interin e tyre që marshonte pa u ndalur, në rivalitet krenar ndaj Juventusit. Me gjasë mund të thuhet “lamtumirë titull” pas barazimit të tretë radhazi në Serinë A, atij 1-1 ndaj Kaljarit, dhe të dytit rezultat të tillë po radhazi në “San Siro”.

Hapi fals i radhës i skuadrës së trajnerit Antonio Konte ishte një tjetër dhuratë për Juventusin kampion e kryesues, si dhe për Lacion. Nuk mund të kishte ndëshkues më të hidhur sesa një “ish” si Raxha Naingolan, pak muaj më pak interist, që shënoi golin e barazimit për ishullorët në Milano. Pas 21 ndeshjeve, Interi ka 48 pikë.

Përse kjo krizë në këto momente? Mos vallë, ka ndonjë problem të brendshëm, diçka që nuk shkon dhe loja nuk bind? Jo, nuk janë këto arsyet, pasi Interi pati epërsi dhe dominoi ndeshjen thuajse nga fillimi deri në fund. Milanezët patën edhe raste të shumtë dhe duhej të kishin fituar, por besohet se pati dy faktorë që ndikuan.

Së pari, lodhja po i bën zikaltërit gjithnjë e më të pasaktë, dhe po ashtu mungesa e përvojës, po u heq qetësinë, diçka të domosdoshme për të fituar tituj të mëdhenj. Në fund të fundit, realiteti është ky dhe gjithkush e ka ditur, pra që Juventusi vështirë se do të sfidohej që në sezonin e parë me Konten në stol. Ndoshta viti i ardhshëm do të jetë ai i Interit.

Sfidanti.al