Beteja individuale natyrisht që nuk u humb, madje mund të thuhet se u fitua. Të paktën kështu tregojnë shifrat, pasi Luka Donçiç bëri diçka më shumë sesa Koui Leonard, në një ndeshje ku që të dy realizuan nga 36 pikë. Gjithsesi, beteja kolektive u humb për Dallasin, që pësoi humbje në shtëpi nga Los Anxhelos Klipersat, me shifrat e ngushta 107-110. Donçiç shënoi 36 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke iu afruar një tjetër tripëll dabëlli, ndërsa bllokoi dy gjuajtje.
Leonardi, ndërkaq, realizoi 36 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 2 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi 3 gjuajtje. Klipersat arritën një fitore të vështirë jashtë fushe, dhe u ngjitën në vend të dytë në Konferencën Perëndimorem, mbi Denverin edhe pse ende larg nga Lejkërsat. Dallasi nuk e arriti dot fitoren e pestë radhazi, dhe ende nuk është një skuadër e ndërtuar për të luftuar për titull, por me Donçiçin në përbërje, mund t’ia dalë në të ardhmen. Klipersat kanë 31 fitore e 13 humbje, ndaj 34 fitoreve e 9 humbjeve të Lejkërsave, kurse Dallasi është i pesti në Perëndim me 27 fitore e 16 humbje.
Sfidanti.al