Pasardhësi u gjet shpejt. Teuta nuk humbi aspak kohë për të caktuar trajnerin e ri pas shkarkimit të Bledi Shkëmbit, dhe ai do të jetë një emër i njohur. Edi Martini, ish-trajner i disa skuadrave të Superligë, si dhe trajner i ekipeve përfaqësuese rajonale të Shkodrës, do të marrë drejtimin me të nisur java e re.
Klubi durrsak njoftoi emërimin e shkodranit 44-vjeçar, i cili shihet si njeriu i duhur për të ndryshuar fatin e skuadrës në një sezon tepër të vështirë dhe të ekuilibruar. Martini bën një rikthim tek Teuta, pasi më herët e drejtoi ekipin durrsak në vitet 2010-2011. Po ashtu, ai ka qenë teknik i Luftëtarit në 2007, i Laçit në 2008-2009, i Vllaznisë në 2009-2010 dhe sërish i Luftëtarit në 2012-2013.
Gjatë gjashtë viteve të shkëputjes nga elita e futbollit shqiptar, Martini punoi si trajner moshash në Shkodër, i përzgjedhur edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të brezit të tij, duke fituar edhe dy tituj kampion në vitet 1997 e 2001.
Sfidanti.al