A do të mundin “sirenat” e PSG-së ta bindin Kilian Mbapenë?!

Ishte thënë edhe më parë, dhe po thuhet përsëri. Paris SG e ka seriozisht me Kilian Mbapenë, ndonëse nuk dihet nëse do t’ia dalë që ta mbajë. Mediat franceze shkruajnë se klubi kryeqytetas po punon fort për të rinovuar kontratën me sulmuesin 20-vjeçar, ndonëse shtojnë se ende nuk ka një përgjigje nga kampioni i botës. Kontrata e tanishme e Mbapesë përfundon në 2022 dhe PSG dëshiron që ta zgjasë përpara sesa të vijë vera e ardhshme, pasi ndryshe do të duhet të pranojë transferimin për të përfituar maksimalisht nga kartoni i tij.

Ylli i ri është i lidhur fuqimisht me një lëvizje për tek Reali i Madridit, që thuhet se është gati të paguajë klauzolën dhe t’i japë një rrogë të jashtëzakonshme njeriut të parashikuar për të zëvendësuar Mesin e Ronaldon. Presidenti Al Helaifi, ndërkaq, ka projektin e tij prej 380 milionë eurosh për rinovimin. Mbape ka shënuar 70 gola në 100 ndeshje për PSG-në dhe e ka ndihmuar të fitojë titullin 2 herë radhazi, si dhe ishte titullar në kombëtaren e Francës që doli kampione e botës vitin e kaluar.

Sfidanti.al