Ekipi gjerman hakmerret në fushë për … punonjësit e hotelit!

Ishte ndeshje e Bundesligës së dytë, dhe luhej në stadiumin e qytetit të vogël lindor, Aue. Futbollistët e ekipit Ercgebirge (ku dikur luajti shqiptari Skerdilajd Curri) kishin dalë me një mision në duelin ndaj Nyrembergut, dhe festuan si të çmendur pas fitores 4-3. Vetë suksesi ishte i rrëmujshëm, me 7 gola, 3 penallti, 1 karton të kuq, dhe me portierin vendas Menel që u bë hero duke pritur penallti në minutën e 7-të shtesë. Gjithsesi, nuk ishte vetëm kjo arsyeja e festimeve të egra të Aues.

Në intervistat pas ndeshjes, portieri Menel deklaroi se ai dhe shokët e tij ishin ofenduar shumë nga një incident i skuadrës së Nyrembergut në hotelin ku qendruan në Aue, duke i quajtur punonjësit si “fshatarë” apo “katundarë”. Kjo, pasi Aue është në Lindje dhe është qytet i vogël, ndërsa Nyrembergu, një nga qytetet me më shumë traditë në Gjermani. “Ata denigruan qytetin tonë, krahinën tonë, – tha Meneli, – ata nuk ofenduan vetëm punonjësit, por edhe banorët, edhe qytetin tonë. Kjo gjë na motivoi dhe ne deshëm të jepnim një përgjigje”. Nga Nyrembergu pati përgënjeshtrim që një incident i tillë të ketë ndodhur.

Sfidanti.al