Lampard, duhet ta kuptosh se Championsi i vret kupat kombëtare!

Një nga legjendat e viteve të fundit në futboll është i shqetësuar për disa ndryshime në plan. Frenk Lampard u ngrit e foli në Londër, në një takim të grupit të punës së kupave europiane, duke diskutuar një zgjerim të mundshëm të Championsit. Ky zgjerim, me 21 ndeshje në maksimum për fituesin, në vend të 17 që janë tani, është propozuar nga presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli. Si një drejtues i brezit të ri, ai shikon përpara, është në një farë mënyre një “revolucionar”, dhe dëshira e tij është që të zgjerojë Championsin, garën më të madhe të klubeve në Europë. Aq më shumë me Juventusin e tij që nuk ka rivalitet në Itali, dhe dëshiron emocione në kontinent.

Lampard, ndërkaq, është gjithashtu i ri, por i përket një tradite futbolli më të vjetër, dhe ku institucionet janë thuajse të shenjta, e këto institucione mund të quhen edhe Kupa e Anglisë (gara më e lashtë në botë) e Kupa e Ligës. “Championsi është kompeticioni më i madh i mundshëm, – tha trajneri i Çelsit, – është kënaqësi dhe krenari të jesh aty, pasi luan me më të mirët e Europës. Gjithsesi, unë nuk dua që zgjerimi i Championsit të dëmtojë Kupën e Ligës, të cilën e kam fituar disa herë si lojtar. Kam dobësi për Kupën e Ligës, ndjej kënaqësi kur luaj një ndeshje kupe në vendin tim, në Angli”. Nostalgjia është e kuptueshme, dhe ndoshta klubet mund të dalin kundër Anjelit për zgjerimin e Championsit. Sidoqoftë, herët a vonë, Liga e Kampionëve do t’ia “hajë kokën” kupave kombëtare.

Sfidanti.al