Klaus Gjasula, “regjisori” i kombëtares shqiptare në Moldavi!

Fitorja gjithnjë është e skuadrës, edhe pse individin nuk mund ta fshehësh. Në Moldavi, Shqipëria fitoi sipas këtij rregulli, dhe ndoshta lojtari më i mirë në fushë mund të mos zgjidhej nga autorët e golave, sado të rëndësishëm e të bukur të ishin ata, por dikush tjetër. Këtë vlerësim mund ta meritojë më së shumti Klaus Gjasula, mesfushori që në stadiumin e Çisinaut ishte po aq në version regjisori, sa edhe në rolin mbrojtës.

Futbollisti 29-vjeçar, që luan në Bundesligë, ishte njeriu me më shumë pasime në fushë, plot 107, nga të cilët 93 për qind i pati të saktë. Një nivel i tillë mund të quhet i elitës botërore, dhe Gjasula jo vetëm lidhi lojën me pasime horizontalë apo vertikalë të shkurtër, por u dallua edhe në aksionet e golave. Ishte ai që dha topin e gjatë për Keidi Baren, që realizoi rrjetën e dytë pas gabimit të portierit vendas.

Gjithashtu, nga këmbët e 29-vjeçarit u nis topi për Odise Roshin në minutën e fundit, aksion i cili përfundoi me vulosjen e rezultatit nga Rej Manaj, me golin më të bukur të ndeshjes. Gjasula e bëri detyrën siç duhet, jo vetëm me pasimet dhe asistet, por edhe duke qenë digë përpara mbrojtjes, duke fituar dyluftime, ndërsa kartonin e verdhë nuk e mori prej tyre, por për acarim ndaj gjyqtarit. Kombëtarja shqiptare në Moldavi ishte gjithashtu shumë lart me qarkullimin e topit, duke dhënë gjithsej 636 pasime, tri herë më shumë se kundërshtari, e duke mbajtur topin 65 për qind.

Sfidanti.al