Duhet mbrojtja e policisë kur Tevez shënon dy në River-Boka!

Në Europë ka “El Klasiko”, në Amerikën Latine ka “Superklasiko”. Real-Barcelona në Argjentinë është River Plej-Boka Juniors. Veçse, ndryshe nga paqja e sotme europiane, në Buenos Aires gjërat janë shumë më të nxehta. Karlos Tevez u detyrua të shoqërohej nga policia në përfundim të Superklasikos së radhës, pasi nuk u tregua një mik i mirë ndaj të zotëve të shtëpisë. Ish-lojtari i Juventusit, Mançester Junajtidit dhe Mançester Sitit, shënoi dy herë në fitoren 4-2 të Bokës në stadiumin e Riverit, diçka që i acaroi keq nervat. Edhe pse në fund nuk ndodhi asgjë, sërish forcat e policisë të specializuara për të përballuar sherret e tifozëve, ishin të domosdoshëm.
Fatkeqësia nuk është që Tevez shënoi dy gola, pasi në historinë e gjatë të Superklasikes, ka pasur shumë lojtarë që e kanë bërë këtë gjë. Fatkeqësi është që ndonëse është në moshë shumë normale, 32-vjeçare, sërish Tevez e ka ndarë mendjen të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni. Shpresojmë që jo, pasi magjia e tij e shton bukurinë e sportit. Ka një ofertë të madhe nga Kina dhe shpresohet që Tevez të tundohet.