Mesi, Grizman, Suarez, Fati, ja pikëpyetjet e shumta të Barcelonës!

Fitorja 2-1 ndaj Vijarrealit nuk është se ngrohu shumë. Në fund të fundit, Barcelona në përgjithësi fiton në “Kamp Nou”, ndërsa pikën e dobët e ka jashtë fushe, ndaj edhe tifozët po presin të shohin se çfarë do të sjellë fundjava. Dueli i kampionatit përfundoi me 3 pikë tepër të rëndësishme, që e mbajnë Barçën në garë për titull, por edhe me Mesin e dëmtuar sërish, me Suarezin në hije, me Grizmanin enigmatik, dhe me një Ansu Fati që, sipas “Markës”, është një “Ferrari”.

“Mesin e nxorrëm nga fusha për kujdes, – tha trajneri Valverde, – pasi nuk donim të rrezikonim. Nuk është ndonjë dëmtim me rëndësi”. Gjithsesi, kapiteni ende nuk po mundet të luajë siç duhet këtë sezon, edhe pse po vjen tetori. Antuan Grizman këtë herë ishte me “semafor jeshil”, pra i pandalshëm dhe mirëkuptimi me Mesin u duk i plotë. A do të jetë gjithnjë kështu sulmuesi francez? Sa pyetje e vështirë!

Po Luis Suarez? Luftëtari nga Uruguaj, dalë nga dalë, duket se po del jashtë loje. Mosha 33-vjeçare bën të vetën dhe, një njeri që është mësuar të kafshojë kundërshtarët, duhet të kafshojë gishtat për të gjetur formën e duhur. Sa për Ansu Fatiun, ende 16-vjeçar, nuk mund të ketë kompliment më të madh sesa kur e krahasojnë me një makinë Ferrari.

Sfidanti.al