Kontrata e tij vazhdon deri në 2022 dhe vitet kalojnë shpejt. Jurgen Klopi është bërë një hero që Liverpuli dëshiron ta mbajë sa më gjatë, sidomos tani që po nis të fitojë trofe nën drejtimin e tij, veçse paska një arsye të rëndësishme që po e bën trajnerin të ngurrojë. Pak kohë pasi vetë gjermani u shpreh se mund të marrë një pushim në përfundim të kontratë në “Anfild”, agjenti i tij zbulon se faktori më i madh pengues qenka moti anglez apo britanik.
Lagështira, reshjet e shiut dhe mungesa e diellit po e bëjnë Klopin që të jetë i mërzitur, edhe pse në klub ndihet shkëlqyeshëm. Ai ka ndërtuar një skuadër fituese, me lojtarë shumë të mirë, që luan një futboll spektakolar, ka drejtues që e mirëkuptojnë dhe tifozë që e ardhurojnë, por kjo nuk qenka gjithçka.
“Kontrata e Jurgenit vlen deri në 2022, – tha agjenti i tij, – Mark Kosicke, – nuk është aspak sekret që Liverpuli dëshiron ta rinovojë, por ne kemi ende pak kohë për këtë. Do të presim të shohim sesi do të shkojnë gjërat, dhe të kuptojmë nëse ndryshimi klimaterik do të sjellë mot më të mirë edhe në Angli, apo vetëm në Gjermani”. Mos do të thotë kjo se Klopi mund të shkojë tek Bajerni në 2022? Ajo që dihet është që ai do ta respektojë kontratën me Liverpulin deri në fund.
Sfidanti.al