Pak ditë më parë, një acarim i papritur ndodhi në stolin e Liverpulit, me Sadio Manenë që u ndje i ofenduar, pasi Mohamed Salah nuk ia pasoi topin, por e gjuajti vetë. Aksioni përfundoi pa rezultat, dhe sulmuesi nga Senegali pati disa fjalë me zë të lartë për atë nga Egjipti. Trajneri Jurgen Klop e kaloi me të qeshur diçka të tillë, ndërsa tani është një legjendë liverpulase si Robi Faulër që dha gjykimin e tij.
“Ndershmërisht, kurrë nuk kam parë e dëgjuar një gjë kaq pa kuptim sa i ashtuquajturi sherr mes Manesë dhe Salahut, – u shpreh ish-sulmuesi i shquar, – ata që flasin për egoizëm, lakmi apo për shkatërrim të shpirtit të skuadrës, mesa duket nuk kanë parë futboll në jetën e tyre. Po ju them se nuk mund të bëhesh kurrë golshënues i klasit botëror pa pasur besim absolut në vetvete se mund të shënosh”.
Faulër, sot trajner në ligën e Australisë, beson se Salah do të vazhdojë të jetë egoist, siç bëjnë të gjithë sulmuesit që duan gola. “Unë shoh atë që ka bërë Salahu, sa gola ka shënuar ai, dhe gjykoj se do të vazhdojë të jetë egoist, – u shpreh anglezi, – si mund të shënosh shumë gola nëse nuk sillesh kështu?”
Sfidanti.al