Revolucioni i Kontes dhe Marotës tek Interi, vetëm në fillim

Nuk ka krahasim me epokën e shkurtër të Rafa Benitezit, që siç thuhet, kërkoi heqjen e fotos së Zhoze Murinjos nga Apiano Xhentile. Jo, tek Interi i sotëm nuk ka xhelozi me të shkuarën, veçse një dëshirë të pamasë për revolucion, thjesht për të ndryshuar klubin dhe skuadrën e vjetër, dhe për t’i bërë më modernë e më fitues.

Ndryshimi më i dukshëm është ai në përbërje ku janë larguar 3 prej atyre që cilësoheshin ikona deri dje, Ikardi, Perishiç e Naingolan. Kanë ardhur Sensi, Lukaku, Sançez, Godin apo edhe të tjerë. Që nga vera e ardhshme do të synohen “të rinj të talentuar italianë”, si Kieza, por edhe një mesfushor i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar.

Ndryshimi tjetër në kompleksin stërvitor, Apiano Xhentile, ku po bëhen punime prej 6 milionë eurosh për ta modernizuar, sipas shembullit të klubeve të mëdhenj të Europës. Synimi i madh është “San Siro” i ri, pra një stadium për të qenë. Së fundi, sponsorët. Në 12 muaj, presidenti Çang dhe të tjerët kanë shtuar mjaft emra, mes të cilëve Lenovo nga Kina, ndërsa synohet një përmirësim i kontratës me Najkun si sponsor teknik, që është larg gjigandëve të Europës dhe Juves. Po ashtu, pritet përmirësim i partneritetit me Pirelin.

Sfidanti.al