Vallëzim seksi për sponsorë, nigerianet duan Lojrat Olimpike!

Skenari është si ai i një filmi amerikan të vitit 1993, me aktorin Xhon Kendi, që bazohej në një histori sesi u krijua një skuadër e sportit të bobsledit nga Xhamajka. Një skenar i thjeshtë, dhe që ka ndodhur shpesh në sport dhe në jetë. Nëse sporti që ti përfaqëson nuk të jep të ardhurat që duhen, provo diçka tjetër për të tërhequr vëmendjen që të arrish të sponsorizohesh.
Këtë janë duke bërë tre vajza nigeriane që jetojnë dhe stërviten në SHBA. Seun Adigun, Ngozi Unvumere dhe Akuoma Omeoga janë pjesëtaret e skuadrës kombëtare të Nigerisë në bobsled, një nga sportet olimpike dimërore, ku sportistet rrëshqasin në një ulluk prej akulli, me anë të një karroce me patina. Vajzat nigeriane nuk kanë financat që duhen, ndërsa duan të bëhen i pari ekip i Nigerisë që të marrë pjesë në Olimpiadën dimërore në këtë sport. Afati është për në Lojrat Olimpike Dimërore në Kore të Jugut në 2018.
Në filmin e vitit 1993, xhamajkanët kënduan, kërcyen nëpër rrugë, bënë mundje me krah, dhe gjëra të tjera, por në fund u detyruan të shisnin një makinë. A do të kenë më shumë fat vajzat nigeriane, të cilat kërkojnë jo pak, por 150 000 dollarë?

Sfidanti.al