Qeveria në luftë e futbolli në gjumë, po bëhet “fli” akordi për sportin

Në 8 mars të këtij viti, në një ceremoni pompoze në Hotel Tirana, kryeministri Rama premtoi se do të krijonte më në fund paketën ligjore dhe institucionale për sportin, duke dhënë edhe një afat 100-ditor. i binte që në 8 qershor, palët të mblidheshin për të bërë konkluzionin dhe për të hartuar paketën, që pastaj do të kalonte në parlament apo aty ku duhej të kalonte për t’u bërë ligj.

Tetë qershori iku, dhe po vjen 8 korriku, por as kryeministri nuk ia ka ngenë një pakete sportive, i vënë përballë një “kryengritjeje” politike në vend, por as në Federatën Shqiptare të Futbollit apo në klube, nuk kujtohet kush të kërkojë llogari për një premtim që iu bë, dhe që ndihmon interesat e tyre. Themi FSHF, pasi e dimë se klubet në Shqipëri praktikisht janë “gjysmagjel”, aq sa edhe të drejtat e tyre financiare i bëjnë “fli” për Federatën, si dikur besimtarët për jetën e përtejme të amëshuar.

Edhe më tepër, të bën përshtypje (për keq) fakti se disa nga pikat bazë të paketës vështirë se mund të miratohen. Kjo, përsa i përket faljes së detyrimeve në tatime deri në 2017, për tatim zero për pagat për 5 apo 7 vjet, si dhe për ndryshimin e ligjit të sponsorizimit, për ta bërë të paktën si Kosova, që u njeh bizneseve ulje deri në 30 për qind të detyrimeve, për investime në sport.

Çdo të thotë kjo? Minimalisht tregon se bizneset në Shqipëri i drejtojnë njerëz që as nuk e dinë nga bie sporti, as nuk e duan atë, dhe nuk u vret sytë fakti se një fushë sportive mund të kthehet në një ndërtesë biznesi. Atëherë, është Ministria e Financave, një institucion burokratik dhe tepër larg sportit, që të vlerësojë dobinë apo dëmin e një ligji të tillë, duke sakrifikuar sportin në emër të financave të shëndosha shtetërore. Kjo tregon edhe një lëvizja sportive në Shqipëri mbetet thuajse imagjinare, pa sasi e pa cilësi, pa vizion e pa dashuri, dhe që të shkojë mbarë, mesa duket, duhet që kryeministri Rama t’ua japë në patronazh çdo sport “kapitenëve” të tij të PS-së e të qeverisë, njëlloj siç u përpoq ish-Mbreti Zog me motrat e tij, apo qeveria e Enver Hoxhës nëpërmjet ministrive e bashkive.

Sfidanti.al