Një skuadër si Mercedesi nuk mund të kënaqet me pilotë të zakonshëm. Kampionia e botës e dy sezoneve të fundit ka detyrën jo të lehtë të zëvendësojë pikërisht numrin 1 të 2016-ës, Niko Rosbergun. Largimi i gjermanit ka sjellë panik në disa skuadra, pasi po përfliten emra të caktuar për të veshur uniformën e Mercedesit. Njëri prej tyre, madje ai që jepet favorit, është Fernando Alonso, që mund të bëhet edhe një herë shok skuadre me Ljuis Hamiltonin, ashtu si në 2007, kur gjithçka përfundoi keq.
Meklareni ka dalë menjëherë me qendrim duke hedhur poshtë spekullimet. “Ne kemi një kontratë me Fernandon dhe ai është i lumtur këtu”, – janë fjalët e shefit ekzekutiv të skuadrës angleze, Zak Braun. Vetë Alonso nuk ka komentuar, ndërsa një kandidat tjetër i rëndësishëm është vetëtërhequr nga konkurrimi. Bëhet fjalë për Sebastian Fetelin, katër herë kampionin e botës, që dëshiron të provojë titullin tjetër me Ferrarin.
Sfidanti.al