Më në fund u arrit fitorja e parë në Bundesligë. Një kënaqësi e madhe, veçse sikur nuk shkon kur këtë e ndjen një ish-kampione e Europës. Hamburgu, në këtë moment, të duket se përfaqësuesit e klubit të madh janë të veshur me fanelën e Bilefeldit, Ingolshtatit apo Darmshtatit. Hamburgu mori 3 pikët e para për këtë sezon në kampionat, me fitoren 2-0 në fushën e Darmshtatit falë golave të shënuar nga Gregoriç dhe Ostrzolek. Minutat ishin e 30-ta dhe e 90-ta, dhe trajneri Gisdol shpreson që tani e tutje të nisë kthesa për gjermanët e veriut.
HSV e pati shumë të vështirë, përballë një Darmshtati luftarak, që fitoi më shumë dyluftime dhe goditi më shumë gjuajtje nga këndi, por drejt portës ishin miqtë më të aftë me 21 gjuajtje ndaj vetëm 10 të vendasve. Ky sukses bëri që disa herë kampionia e Gjermanisë të ngjitej në vendin e parafundit me 7 pikë, një më shumë se Ingolshtati, dhe vetëm 1 më pak se Darmshtati. Me ekipe të tjerë të njohur pranë fundit, si Mynshengladbahu, Verderi apo Volfsburgu, Bundesliga duket se po kalon një sezon jo të zakonzhëm.