Nuk ishte i qetë derbi i Romës në fushë, po ashtu edhe jashtë saj. Përtej tensionit mes tifozëve, ku pati edhe arrestime nga policia, janë edhe vetë lojtarët që i hedhin “benzinë zjarrit”. Më parë, mbrojtësi i Romës, Rudiger, që ishte shprehur përpara ndeshjes se “nuk e njoh se kush është Lacio dhe cili është trajneri i sai”. Me të drejtë i nervizuar, Senad Luliç, kur u pyet për këtë thënie, pas ndeshjes. Gjithsesi, reagimi i boshnjakut kaloi, ndoshta pa dashur, në racizëm. “Ai fliste para ndeshjes, por dy vjet më parë shiste çorape dhe lecka të tjera në Shtutgart, ndërsa tani na bën si fenomen, – ishin fjalët e mbrojtësit lacial, – nuk është faji i tij, gjithsesi, është faji i atyre që ka pranë, dhe që e kanë rritur si një djalë pa edukatë”. Fjalët e Luliçit bënë jehonë në media, dhe mbrojtësi i Lacios, më pas shtoi se “nuk e kam fjalën vetëm për të zinjtë, pasi edhe të bardhët kanë shitur lecka”.