Rafael Nadal është Perandori i Romës në tenis për meshkuj. Tenisti spanjoll triumfoi në Turneun Masters në Foro Italico pasi gjunjëzoi në finale numrin 1 të botës Novak Xhokovic të cilin e mundi me rezultatin 2-1 duke e ngritur trofeun e këtij evenimenti për të 9 herë. Kjo ishte hera e pestë që Nadal e Xhokovic takoheshin në finale me spanjollit që merr kryesimin në këtë aspekt në 3-2.
Nadal që nuk ishte në vitin e tij më të mirë ne fushat me dhe’, shfaqi të gjithë superfuqinë e tij, pavarësisht vështirësive dhe në fund arriti të regjistrojë fitoren e tij të parë për 2019, një fitore kjo që do t’i shërbejë për moral në prag të Roland Garros të cilin do të kërkojë ta fitojë për herë 12. Seti i parë ishte i pabesueshëm me Nadal që në harkun e 41 minutave e likuidoi totalisht Xhokovic teksa e dominoi në cdo moment duke mos e lënë tenistin serb të fitojë qoftë edhe 1 game të vetëm dhe e mbylli këtë fraksion 6-0, dicka që nuk ishte parë kurrë në të 53 ndeshjet e zhvilluara mes këtyre dy lojtarëve.
Por Xhokovic nuk dëshiron që të lejojë veten të dominohet nga spanjolli dhe të tregojë se nuk është kot numri 1 i botës në ATP. Seti i dytë i sfidës ishte shumë më i rivalizuar me Nadal që kishte shanset e tij që të thyente Xhokovic me shërbimet e tij, por që në fund ishte serbi që e theu atë në turnin e shërbimit në game e 10 për të fituar setin e dytë 6-4 dhe për ta cuar ndeshjen në setin final.
Nadal nuk e humbi qetësinë pas fitores së këtij seti nga Xhokovic, me spanjollin që fitoi game hapës të setit të tretë me shërbimet e serbit i cili e kapi me raketën duke e përplasur në tokë. Më pas me kalimin e minutave u panë shumë gabime të Xhokovic sidomos në gjuajtjet ‘drop shot’ që ia lehtësoi gjërat Nadal i cili fitoi sërish me shërbimin e Xhokovic për të shkuar në 4-1. Pas kësaj Nadal nuk gaboi më dhe mbylli llogaritë e ndeshjes duke e fituar këtë set 6-1 dhe krejt ndeshjen 2-1 për të qenë ai Perandori i Romës.
sfidanti.al