Kevin Duranti nuk luajti në ndeshjen e dytë, dhe është zyrtare se nuk do të jetë as në ndeshjen e tretë dhe të katërt. Golden Stejti duhet të bëjë si të bëjë pa yllin ndoshta kryesor, për pjesën më të madhe të finaleve të plej ofit në Konferencën Perëndimore, por për momentin e ka gjetur “ilaçin”.
“Bari magjik” e ka emrin Stefën Kërri, që fitoi një tjetër duel me vëllanë binjak Sethin, si dhe realizoi përmbysjen e Golden Stejtit ndaj Portlendit në Arenën e Oklendit. Kampionët rrezikuan të humbisnin ndeshjen e dytë në fushën e tyre, që do t’i kishte vënë në pozita të vështira për vazhdimin.
Kërri shënoi 37 pikë në 38 minuta që ishte në fushë, dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 8 topa në tabela dhe 8 asistë. Portlendi udhëhoqi me 15 pikë në pushim, dhe ishte 8 pikë përpara kur mbeteshin edhe 4 minuta e gjysmë deri në fund, por nuk u mbajt dot. “Na ndihmoi përvoja, – tha Drejmond Grini, që shënoi 16 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 7 asistë dhe bllokoi 5 gjuajtje, – ne kemi djem që nuk dorëzohen asnjëherë”.
Kapiteni Klej Tompson po ashtu shënoi shumë, 24 pikë, ndërsa qendra Kevin Luni, që po luan në vend të Demarkus Kouzinsit të dëmtuar, shënoi 14 pikë dhe kapi 7 topa në tabela. “Ne e vodhëm ndeshjen falë minutave finale të luajtura shkëlqyeshëm, dhe falë një pjese të tretë eksplozive”, – ishin fjalët e tranerit Stiv Kerr. Për Portlendin, Lilard shënoi 23 pikë, Mekkallëm 22 dhe Seth Kërri 16. Ndeshja e tretë finale luhet mëngjesin e së dielës në Portlend.
Sfidanti.al