Pavarësisht “hijeve” në prapaskenat e karrierës, sërish Marçelo Lipi mbetet një personalitet i futbollit. Njeriu që arriti gjithçka me Juventusin dhe Italinë duhet të dëgjohet kur jep mendimet e tij, sidomos kur nuk është i interesuar. Trajneri i tanishëm i Kinës, u pyet për gjendjen që po kalon Seria A dhe për Juventusin, simbolin e kampionatit.
“Juventusi është në maksimum, – u shpreh ai, – më shumë se kaq nuk mund të arrihet. Të përmirësohesh do të thotë të jesh 4 pikë përpara në kampionat dhe të jesh i kualifikuar për në turin tjetër në Ligën e Kampionëve, dhe Juventusi është në këto nivele”. Lipi gjykon se nëse nuk do të ketë probleme në formacion, gjërat mund të shkojnë edhe më mirë. “Nëse nuk do të ketë dëmtime mund t’ia dalë me këdo, – shprehet ai, – edhe me Realin, Barçën apo Bajernin”.
Po Seria A? Veterani i stolit gjykon se kampionati duhet ta ndihmojë kombëtaren duke nisur 3 javë përpara. “Kështu bëjnë vendet e tjera si Gjermania, Anglia apo Franca, – thotë ai, – edhe ne duhet të nisim më shpejt dhe kjo do të thotë të ndihmosh kombëtaren në eleminatore”. Përsa i përket nivelit të kampionatit, Lipi është i lumtur për atë që po shikon. “Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë të rinj që luajnë titullarë, – vëzhgon ai, – mund t’iu them se një skuadër e madhe klubi nuk mund të ndërtohet ndryshe veçse me bërthamë italiane. Të huajt janë lojtarë shumë të mirë, por shpesh nuk e kanë idenë se ku do të përfundojnë për të luajtur”.