Përsëri Mercedes, fiton pole position në Kinë

Mercedes shfaqet në një formë mjaft të mirë edhe në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1 duke fituar provat zyrtare. Ishte finlandezi Valteri Botas ai që iu imponua rivalëve të tij teksa në pistën e Shangait shënoi kohën më të shpejtë me 1 minutë 31 sekonda e 547 të mijtat duke regjistruar pole positionin e tij të 7 në karrierë.

Menjëherë pas tij në vendin e dytë, duke plotësuar edhe vijën e parë të startit u rendit Ljuis Hamilton me vetëm 23 të mijtat më shumë. Ferrari pushtoi vijën e dytë të nisjes me Sebastian Fetel në vendin e tretë dhe Sharl Lëklerk në të katërtin. Në këtë pikë Kokëkuqja italiane u ndihmua edhe nga Maks Vershtappen me Red Bull që u vonua më shumë sec duhej për të kryer xhiron e tij të dytë të shpejtë që në fund nujk e kreu pasi kishte mbaruar koha e provave zyrtare duke u mjaftuar me vendin e pestë.

Mjaft mirë u paraqit Gasli që u pozicionua në vendin e gjashtë ndërkohë që pati zhgënjim te Alfa Romeo Racing pasi Kimi Raikkonen mbeti jashtë sesionit të fundit të provave duke i mbyllur provat në vendin e 13.

sfidanti.al